Sikurse ishte paralajmëruar me kohë nga kreu i Financave, Këshilli i Ministrave miratoi dje disa shtesa e ndryshime në VKM-në “Për deklarimin e detyrueshëm të deklaratave tatimore dhe të dokumenteve të tjera tatimore, vetëm nëpërmjet formës elektronike”. Ky vendim mundëson realizimin e deklarimit të detyrueshëm në organet tatimore, vetëm nëpërmjet formës elektronike, edhe i të dhënave të dokumentit listëpagesa e kontributeve të sigurimeve shoqërore e shëndetësore dhe tatimit mbi të ardhurat nga punësimi, si dhe i të dhënave për ndryshimin e numrit të punonjësve, nga të gjithë tatimpaguesit.
“Realizimi i deklarimit elektronik i tyre është një masë e rëndësishme që do të ndikojë në evidentimin e saktë dhe krijimin e historikut të kontributeve për çdo kontributpagues mbi bazën e të cilit, ata do të marrin përfitimet përkatëse nga skema e sigurimeve shoqërore e shëndetësore”, deklaron Ministria e Financave. [Gazeta SHQIP]