Qeveria shqiptare miratoi dje një vendim me anë të të cilit kuota e anëtarësimit (kapitali i paguar) i vendit tonë te Fondi Monetar Ndërkombëtar me 11.3 milionë SDR nga 48 milionë që është aktualisht. SDR është monedha llogari e Fondit Monetar Ndërkombëtar. 1 SDR është e barasvlefshme aktualisht me 1.18 euro ose 1.54 USD. Vendimi i Shqipërisë është pjesë e marrëveshjes ndërkombëtare për rritjen e kapitalit në dispozicion të FMN-së që u mor vitin e kaluar.
Rritja e kapitalit pjesëmarrës i jep mundësi Shqipërisë të përfitojë më shumë ndihmë financiare nga FMN në rast se lind nevoja. Shqipëria mund të përfitojë kredi të quajtura SBA, në masën nga 200 deri në 600 për qind të kuotës së anëtarësimit. Këto para mund të merren për 12 deri në 24 muaj dhe në raste të rralla deri në 36 muaj. Me rritjen e kuotës së anëtarësimit, rritet edhe sasia maksimale e kredisë që mund të merret. Gjatë viteve të fundit, FMN ka ofruar financime të tilla për Greqinë, Bosnjën, Serbinë e vende të tjera.
Qeveria shqiptare është duke diskutuar aktualisht mundësinë e kërkimit të ndihmës te FMN, pasi të ardhurat e buxhetit të këtij viti janë rritur me vetëm 0.7 për qind ndërsa shpenzimet janë rritur me 5.4 për qind. Si të mos mjaftonin vështirësitë, një faturë tjetër u shtua në xhepat e qeverisë për importin e energjisë elektrike. [Gazeta SHQIP]