Pensionistët nuk do të kenë asnjë mbështetje financiare nga qeveria për të kaluar Vitin e Ri. Ndërsa për punonjësit buxhetorë, policët, apo mjekët të cilët janë në gadishmëri mbrëmjen e Vitit të Ri as që bëhet fjalë. Burime zyrtare nga Ministria e Financave sqarojnë se nuk kanë fond rezervë për të përballuar “gjelin e detit” për mbi 500 mijë pensionistë. Po kështu ndodhi dhe vitin e kaluar, ku nuk u miratua asnjë fond për shpërblimin e fundvitit.
Prej disa vitesh u bë traditë që në fund vit Qeveria miratonte një mbështetje financiare prej 5 mijë lekësh për të moshuarit. Kjo shumë ishte pagëzuar si Gjeli i Detit i Vitit të Ri nga Kryeministri Berisha. Por, dhe në fund të vitit 2009, ndërsa pritej si zakonisht shpërblimii fundvitit, shuma u përgjysmua nga 5 mijë lekë në 2 500 lekë.
Vendimi për mbështetjen financiare për festat të pensionisteve merret direkt nga Këshilli i Ministrave dhe Ministria e Financave i kalon shumën Insitutit të Sigurimeve Shoqërore, që është i detyruar t’a zbatojne atë në shperndarjen e shumave të miratuara, sipas një grafiku të posacëm. Zakonisht shuma e shpërblimit merret nga fondi rezervë i Këshillit të Ministrave, por edhe nga zëra të tjerë të papërdorura deri në atë kohë. Për t’i mundësuar një mbështetje financiare prej 5 mijë lekësh ndaj rreth 554 mijë pensionistëve qeveria duhet të nxjerrë nga buxheti i shtetit një shumë prej rreth 28 milionë dollarësh. [SCAN TV]