Bashkia e Tiranës ka nisur që prej 1 tetorit një aksion në mbarë kryeqytetin për lirimin e hapsirave publike. Por edhe pse kanë kaluar disa javë, aksioni i bashkiakëve nuk ka dhënë efektin e duhur pasi trotuarëve anës rrugëve vazhdojnë të jenë të zëna nga shitësit ambulantë. Kamera e Tv Scan ka vëzhguar në terren në disa prej rrugëve dhe rrugicave më problematike për kalimin e qytetarëve, se sa është zbatuar në realitet aksioni i Bashkisë për të liruar rrugët dhe trotuaret.
Ndonëse punonjësit e kontrollit të territorit po vazhdojnë punën për lirimin e hapësirave pulbike, realiteti në rrugët e ndryshme të kryeqytetit është ndryshe. Zona e ish-bllokut, e njohur jo vetëm për zaptimin e trotuareve, por edhe të rrugëve nga tavolinat e karriget, nuk ka pësuar asnjë ndryshim. Po kështu edhe bizneset vazhdojnë punën e tyre si çdo ditë e lënë pas.
Rruga e Dibrës, ku gjen shitës ambulantë të shumtë duket si ditët e tjera, por jo e boshatisur. Trotuaret janë të mbushur me mallra të ndryshëm që tregtohen, siç ndodh përditë. Deri tani, nuk ka ndonjë ndryshim të dukshëm në trotuarët e zaptuar të kryeqytetit. Bashkia e Tiranës ka paralajmëruar të gjithë personat që tregtojnë produkte të ndryshme në rrugë, por edhe baret që kanë vendosur tavolina në trotuare, se do të merren masa penalizuese nëse nuk do të lirohen hapësirat publike. (Scan TV)