Shqipëria ka bërë hapa prapa në përmirësimin e klimës së biznesit në vend. Sipas raportit të Bankës Botërore dhe Korporatës Financiare Ndërkombëtare (IFC) për lehtësitë e të bërit biznes, ku renditen vlerësimet për 183 vende të botës, vendi ynë përkeqësoi pozicionimin krahasuar me një vit më parë. Shqipëria u rendit në vendin e 82-të nga vendi i 77-të që pozicionohej vitin e kaluar. Analiza e Bankës Botërore mbështetet në rregullat që ndihmojnë apo pengojnë një aktivitet të sipërmarrjes.
Sipas raportit Shqipëria vlerësohet e fundit për dhënien e lejeve të ndërtimit, ndërkohë që nga 245 reforma të reja të ndërmarra nga Qershori 2010 në Qershor 2011 në të 183 vendet e përfshira në raport, Shqipëria përmendet vetëm për lehtësimin e regjistrimit të titullit të pronësisë në regjistrin e tokës. Nga vendet e Ballkanit, Maqedonia qëndron dukshëm përpara të tjerëve duke përmirësuar një pozicion mjaft të mirë që kishte edhe vitin e shkuar kur ishte e 34-ta, e duke u renditur këtë herë e 22-ta në botë. Gjithashtu, në raportin e ri Banka ka përdorur një tjetër metodologji që vlerëson tre tregues: lejet e ndërtimit, marrjen e kredisë dhe pagesën e taksave.
Shqipëria renditet tashmë e fundit për treguesin që lidhet me lejet e ndërtimit, pasi gjendja u përkeqësua nga që autoritet nuk kanë dhënë leje për ndërtesa që prej prillit të vitit 2009. Raporti i Bankës Botërore reflekton kuadrin ligjor dhe masat regullatore që qeveritë ndërmarrin në ndihmë të sipërmarrjeve. Ai në vetvete nuk përbën një matës të klimës së biznesit në një vend ku renditen vlerësimet për 183 vende të botës. Në listën e ekonomive më të përparuara për lehtësimin e të bërit biznes, dy vende të Europës dhe të Azisë Qendrore janë ndër tre më të mirat në botë: Moldavia është numri dy- duke u ngjitur 18 vende, dhe Maqedonia është ngjitur me 12 vende.
(Scan TV)