Instituti i Statistikave njoftoi se Prodhimi i Brendshëm Bruto u tkurr në tremujorin e parë të vitit, për herë të dytë që nga viti 2009, kur ekonomia u prek nga kriza.
"Prodhimi i Brendshëm Bruto në tremujorin e parë të vitit 2012 u ul me 0.2 për qind, kundrejt tremujorit të parë të vitit 2011, ndërsa krahasuar me tremujorin e katërt të vitit 2011 u ul me 1.2 për qind ", tha Etugert Llazi, përfaqësues i INSTAT.
Rënia ekonomike ka ardhur si pasojë e tkurrjes së fortë të prodhimit industrial, me mbi 19.3 për qind dhe thellimit të krizës në sektorin e ndërtimit, edhe ky me rënie dyshifrore.
"Industria shënoi një rënie me 19.3 për qind gjatë këtij tremujori, krahasuar më të njëjtin tremujor të një viti më parë. Sektori i ndërtimit në tremujorin e parë të vitit 2012 shënoi një rënie me 17.6 për qind, krahasuar me tremujorin e parë të vitit 2011. Dega post-komunikacionit, pati një rënie me 4.8 për qind gjatë këtij tremujori krahasuar me të njëjtin tremujor të një viti më parë, dhe një rënie me 1 përqind krahasuar me tremujorin paraardhës", tha përfaqësuesi i INSTAT.
Sektorët me rritje janë ai i bujqësisë me 4.5 për qind, tregtia me 5.3 për qind dhe shërbimet e tjera me 11.1 për qind. Shifrat e tremujorit të parë dëshmojnë se kriza në ekonomi është thelluar gjatë këtij viti. Zyrtarisht Shqipëria ende nuk është në recesion. Por nëse Prodhimi Kombëtar do të tkurret edhe në tremujorin e dytë, atëherë Shqiptare hyn zyrtarisht në recesion ekonomik, një situatë e paprovuar që nga viti 1997. [TOP CHANNEL]