-
INSTAT raporton rritje të konsiderueshme ekonomike
Posted by
Trade AL April 7, 2012 - 258 views - Filed in
Ekonomi
Instituti i Statistikave deklaroi sot se sipas vlerësimeve të saj paraprake, rritja ekonomike në fund të vitit të kaluar fitoi shpejtësi. Prodhimi i Brendshëm Bruto u rrit me 3.8 për qind në terma vjetorë në tremujorin e katërt 2011, pasi pati shënuar rritje me 2.6 për qind në tremujorin e tretë dhe 0.5 për qind në tremujorin e dytë.
Sipas INSTAT, të gjitha degët e ekonomisë me përjashtim të Industrisë pësuan rritje të konsiderueshme. “Ekonomia në tremujorin e katërt të vitit 2011 u rrit me 3.8 përqind kundrejt tremujorit të katërt të vitit 2010, ndërsa krahasuar me tremujorin e tretë vitit 2011 u rrit me 0.1 për qind. Viti 2011 mbështetur mbi informacionet tremujore shënoi një rritje prej 3.1 për qind krahasuar me vitin 2010.Në këtë tremujor degët që kanë pasur rritje ishin transporti, tregtia, shërbimet e tjera, postkomunikacioni dhe ndërtimi respektivisht me 15.4 për qind, 8.8 për qind, 5.4 për qind, 3.8 për qind dhe 1.2 për qind krahasuar me tremujorin e katërt të vitit 2010. Dega që u paraqit me rënie në këtë tremujor krahasuar me të njëjtin tremujor të një viti të mëparshëm ishte industria me 7.8 për qind,” njoftoi INSTAT.
Vlerësimet e INSTAT gjatë vitit të fundit janë shumë më të larta se sa vlerësimet e institucioneve financiare ndërkombëtare si Banka Botërore. Vlerësimet paraprake në shumicën e rasteve janë rishikuar në rënie në vlerësimet e mëpasme nga INSTAT. 5 Prill 2012 (gazeta-Shqip.com)