Zhvendosja e taksës së ndotjes nga dogana te koalidimi si dhe ndarja e saj në këste vjetore ka sjellë një bum të vërtetë në importin e makinave gjatë tremujorit të fundit të vitit të kaluar, ndërkohë që çmimet e makinave në tregun e brendshëm kanë rënë ndjeshëm dhe më shumë shqiptarë kanë sot mundësi të realizojnë ëndrrën e posedimit të një automjeti për përdorim personal.
Të dhënat statistikore të publikuara nga INSTAT tregojnë se në periudhën tetor-dhjetor 2011 në Shqipëri u importuan 19,153 automjete, nga vetëm 3,956 automjete që qenë importuar në të njejtën periudhë të vitit 2010.Përgjatë të gjithë vitit 2011 në vendin
tonë hynë mbi 32 mijë makina nga vetëm 16 mijë që patën hyrë në vitin 2010.
Shqiptarët paguan një taksë ndotjeje për importimin e makinave të vjetra nga viti 2004 e më pas, e cila praktikisht e dyfishonte koston e importimit të një makine të përdorur.
Për të shmangur pagesën e kësaj takse të rëndë, shumë shqiptarë vijuan të mbajnë në punë makina 20 vjeçare, vlera tregtare e të cilave qe e papërfillshme, ndërkohë që kostot e taksave të importit qenë shumë të larta.
Për shkak të bllokimit të tregut të automjeteve, vitin e kaluar qeveria vendosi ta heqë këtë taksë nga importi i makinave dhe ta ndajë atë në këste vjetore që paguhen te koalidimi i detyrueshëm vjetor. Kostoja e përgjithshme e posedimit dhe përdorimit të një automjeti për familjet shqiptare u rrit edhe më tej pas ligjit të ri, por ndarja e kësaj kostoje në këste, e bëri më të lehtë përballimin e saj.
Çmimet e makinave të fashës së mesme kanë rënë me 30-50 për qind gjatë muajve të fundit në tregun e brendshëm. Një makinë dhjetëvjeçare sot kushton jo më shumë se 3-4 mijë euro, ndërkohë që një vit më parë kushtonte 5 apo 6 mijë euro.
Shumica dërrmuese e familjeve shqiptare nuk e posedojnë ende një makinë personale dhe norma e penetrimit të automjeteve në popullatën tonë është më e ulëta në kontinentin evropian. Vlerësohet se në Shqipëri ka vetëm 135 automjete për mijë banorë nga 500-600 automjete për mijë banorë që ka në vendet e BE-së. Penetrimi i automjeteve në Shqipëri është edhe më i ulët se sa në Kosovë, gjë që i dedikohet tërësisht taksës famëkeqe të ndotjes të imponuar nga qeveria gjatë viteve 2004-2011. 6 Prill 2011 (gazeta-Shqip.com)